Policia ka arritur ta identifikojë dhe arrestojë personin e dyshuar për një rast të sulmit seksual të raportuar ditë më parë në Prishtinë, ku viktima pretendon se ishte prekur në organin gjenital derisa po ecte në rrugë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i arrestuari është A. M, rreth 50 vjeç i cili pas intervistimit është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Ngjarja kishte ndodhur më 27 gusht, rreth orës 22:20, në rrugën “Hys Popova” në Prishtinë.
Sipas informacioneve të Sinjalit, viktima, R. H., mashkull, 22-vjeçar, kishte qenë duke ecur kur i ishte afruar një burrë të cilin në atë kohë nuk e njihte.
I dyshuari dyshohet se i është bashkuar në ecje dhe ka nisur të bisedojë me të. Për rreth pesë minuta ata kanë vazhduar të ecin së bashku, ndërsa, sipas deklarimit të viktimës, burri vazhdimisht tentonte ta orientonte drejt pjesëve më të errëta të rrugës.
Situata dyshohet se më pas ka eskaluar.
Sipas informacioneve të rastit, 50-vjeçari dyshohet se e ka kapur viktimën për krahu me njërën dorë, ndërsa me dorën tjetër në organin gjenital.
I shqetësuar nga ajo që kishte ndodhur, 22-vjeçari është larguar me vrap nga vendi dhe rasti më pas është denoncuar në Polici.
Fillimisht identiteti i personit të dyshuar nuk ishte i njohur, por pas veprimeve hetimore, Policia ka arritur ta identifikojë atë si A.M. dhe ta arrestojë.
Për arrestimin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që, pas intervistimit në cilësinë e të dyshuarit, të ndalohet për 48 orë.
Rasti po trajtohet si “Sulm seksual”, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.