Një përleshje në një prej zonave më të frekuentuara të Prishtinës ka përfunduar me një 34-vjeçar të lënduar dhe dy persona të ndaluar për 48 orë, ndërsa kamerat në zonë kanë regjistruar momentet e sulmit.

Sinjali mëson se viktima është K.Z., rreth 34-vjeçar, ndërsa si të dyshuar për rastin janë identifikuar R.K., rreth 29-vjeçar dhe D.K., rreth 27-vjeçar.

Ngjarja ka ndodhur më 20 gusht, rreth orës 17:40, në afërsi të një marketi te rrethi i Rrugës C në Prishtinë.

Policia ishte njoftuar për një përleshje dhe, me të mbërritur në lokacion, ka kontaktuar me Zeqirin. Ai ka deklaruar se ishte sulmuar nga dy persona në afërsi të marketit.

34-vjeçari ka marrë trajtim mjekësor për lëndimet e pësuara dhe më pas është intervistuar në cilësinë e të dëmtuarit.

Por incidenti nuk kishte mbetur vetëm në deklarimet e palëve.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Policia ka siguruar video-incizime nga lokacioni, në të cilat shihen dy persona duke e sulmuar K.Z.

Hetimet kanë çuar te R.K dhe D.K., të cilët më pas janë paraqitur në Stacionin Policor Jugu.

Të dy janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve dhe në praninë e avokatëve mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare.

Pas përfundimit të intervistimit është konsultuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Me vendim të Prokurorit, R.K dhe D.K janë ndaluar për 48 orë dhe janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Stacionin Policor Qendra.

Motivi që çoi deri te konflikti nuk është bërë i ditur dhe mbetet pjesë e hetimeve.

Në duart e hetuesve tashmë ndodhen edhe pamjet që dokumentojnë sulmin, të cilat pritet të ndihmojnë në sqarimin e plotë të dinamikës së incidentit.