Një tjetër rast i të shtënave gjatë një ahengu familjar është regjistruar mbrëmjen e së dielës në fshatin Bellopojë të Podujevës, ku Policia ka intervenuar pas raportimeve për të shtëna.

Sinjali mëson se i dyshuari është Blerond Abazi rreth 27-vjeç, i cili ka pranuar para zyrtarëve policorë se kishte shtënë me armë me gaz gjatë ahengut.

Rasti është raportuar më 9 gusht, rreth orës 22:00, ndërsa njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe, pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Abazi u ka deklaruar policëve se kishte shtënë me armë me gaz gjatë një ahengu familjar.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja, të cilat janë evidentuar në kuadër të rastit.

Blerond Abazi është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa pas përfundimit të procedurave është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti është iniciuar për veprat “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.