Një përleshje fizike mes disa të rinjve në Viti ka vënë në lëvizje Policinë e Kosovës, pasi pamjet e incidentit u publikuan në rrjetet sociale.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, ka konfirmuar për Sinjalin se rasti nuk ishte raportuar në Polici.

Megjithatë, pas publikimit të videos, hetuesit e Stacionit Policor në Viti, në koordinim dhe me autorizim të Prokurorit të Shtetit, kanë nisur menjëherë veprimet hetimore për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Policia po punon për identifikimin e personave të përfshirë në përleshje, si dhe për ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme ligjore.

Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se përleshja ka ndodhur më 7 gusht në qytetin e Vitisë.

Rasti tashmë është në duart e hetuesve, të cilët pritet të sqarojnë se çfarë ka ndodhur dhe kush ishin personat e përfshirë.