Një video-incizim ku shihet një person duke shtënë me armë gjatë një ahengu në Suharekë është bërë pikënisje e një hetimi që, pas gati tri javësh, ka çuar në identifikimin e personit të dyshuar dhe sekuestrimin e armës që dyshohet se është përdorur, mëson Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Jeton Avdyli, rreth 33-vjeçar, i cili aktualisht ndodhet në Itali, ku edhe punon.

Rasti dyshohet se ka ndodhur më 2 gusht, rreth orës 21:05, në “Elektroni Event” në fshatin Greikoc të Suharekës.

Gjithçka nisi nga një video.

Stacioni Policor në Suharekë kishte pranuar një video-incizim, në të cilin dyshohet se shihet një person duke shtënë me armë gjatë ahengut.

Pas sigurimit të pamjeve, hetuesit kanë nisur veprimet për identifikimin e personit që shfaqej në video.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, më 21 gusht hetuesit kanë arritur ta identifikojnë personin e dyshuar si Jeton Avdyli.

Në koordinim me Prokurorin kujdestar, Policia ka shkuar në shtëpinë e tij, por 32-vjeçari nuk ndodhej aty.

Hetuesit kanë kontaktuar me babanë e të dyshuarit, i cili i ka njoftuar se djali i tij kishte udhëtuar dy ditë më parë drejt Italisë, ku punon.

Por gjatë këtij veprimi Policia ka siguruar edhe një provë potencialisht të rëndësishme për hetimin.

Babai i 32-vjeçarit ka dorëzuar vullnetarisht një pistoletë me gaz dhe një karikator, armë për të cilën ekziston dyshimi se mund të jetë përdorur gjatë të shtënave të regjistruara në video.

Arma dhe karikatori janë sekuestruar për ekzaminim dhe procedura të mëtejshme hetimore.

Meqë Avdyli ndodhet jashtë Kosovës, Policia i ka lënë ftesë që, sapo të kthehet në vend, të paraqitet në stacion policor.

Rasti është iniciuar për mbajtje të paautorizuar të armës dhe përdorim të armës, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Në këtë fazë nuk është konfirmuar përfundimisht nëse arma e sekuestruar është pikërisht ajo që shihet duke u përdorur në video, ndërsa i dyshuari nuk është intervistuar ende.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.