Hetimet për vjedhjen e një shume të madhe parash dhe stolive të arit nga një shtëpi në Borovo të Leshakut kanë marrë kthesë të shpejtë. Vetëm një ditë pas raportimit të rastit, Policia ka arritur të identifikojë katër persona të dyshuar, tre prej të cilëve janë arrestuar, ndërsa i katërti po kërkohet.
Sinjali mëson se të dyshuarit e identifikuar në kuadër të hetimeve janë Nenad Veljovic 20 vjeçar, Nikola Lesevic, 19 vjeçar, D.M. 17 vjeçar dhe L.B. 16 vjeçar.
Rasti ishte raportuar mëngjesin e 20 gushtit nga pronari i shtëpisë, Dj. Mitrovic, 37 vjeçar, i cili kishte njoftuar Policinë se prona e tij ishte thyer.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, dera kryesore e shtëpisë ishte gjetur e mbyllur, por dera dhe dritarja e depos ishin thyer. Pikërisht nga kjo pjesë dyshohet se ishte depërtuar në brendësi.
Pronari ka deklaruar se nga shtëpia i mungonin rreth 12 mijë euro, të cilat i mbante të vendosura në një fletore, si dhe 40 mijë dinarë serbë dhe 230 euro që ndodheshin në një arkë të hekurt.
Nga shtëpia dyshohet se ishin marrë edhe dy zinxhirë ari, vlera e të cilëve nuk ishte përcaktuar në momentin e raportimit.
Në fazën e parë autorët ishin të panjohur.
Por hetimi i Njësisë Rajonale të Hetimeve në Mitrovicën e Veriut ka çuar, sipas të dhënave policore, në identifikimin e katër të dyshuarve më 21 gusht.
Me koordinimin e Prokurorisë së Shtetit, janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve.
Bastisjet kanë prodhuar edhe një prej provave kryesore që tashmë po hetohet.
Te njëri prej të dyshuarve Policia ka gjetur 4,500 euro në kartëmonedha nga 100 euro dhe 800 euro në kartëmonedha nga 200 euro – gjithsej 5,300 euro.
Hetuesit dyshojnë se kjo shumë mund të jetë pjesë e parave të vjedhura nga shtëpia e Mitrovicit.
Ndërkohë, te një tjetër i dyshuar është gjetur edhe një fishek i kalibrit të vogël për pistoletë, çka ka bërë që rasti të trajtohet edhe për dyshimet që lidhen me posedimin e paautorizuar të armëve.
Pas veprimeve hetimore dhe konsultimit me prokurorët kompetentë, dy prej të dyshuarve janë ndaluar për 48 orë, ndërsa i treti është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet vazhdojnë për të sqaruar rolin e secilit prej të dyshuarve, për të verifikuar prejardhjen e 5,300 eurove të sekuestruara dhe për të gjurmuar pjesën tjetër të parave dhe stolive që janë raportuar të vjedhura.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.