Pas 35 vitesh shërbim në Policinë e Kosovës, togeri Fadil Gashi i ka dhënë fund karrierës policore, duke u pensionuar pas më shumë se tri dekadash në uniformë.
Gjatë gjithë këtyre viteve, Gashi u bë një figurë e njohur jo vetëm për kolegët policë dhe qytetarët, por edhe për gazetarët.
Për një kohë të gjatë, ai ishte ndër zërat kryesorë të Policisë së Kosovës në Pejë – personi që përcillte informacionet zyrtare për ngjarjet, jepte detaje për rastet policore dhe ishte në komunikim të vazhdueshëm me mediat.
Nga aksidentet e deri te rastet kriminale, nga raportimet e para deri te informacionet zyrtare, zëri i tij ishte i njohur për redaksitë që mbulonin rajonin e Pejës.
Tash, pas 35 vitesh, një kapitull i gjatë është mbyllur.
Togeri Fadil Gashi është pensionuar, duke lënë pas një karrierë të gjatë në shërbim të Policisë dhe qytetarëve.
Për shumë gazetarë, pensionimi i tij nënkupton edhe fundin e një epoke të njohur komunikimi me Policinë e Pejës – atë telefonatë ku, përtej uniformës, gjithmonë kërkohej një zë i sigurt për të konfirmuar se çfarë kishte ndodhur.
Redaksia e Gazetës Sinjali e falënderon togerin Fadil Gashi për bashkëpunimin, korrektësinë dhe profesionalizmin e treguar ndër vite, duke i uruar shëndet, mbarësi dhe pensionim të qetë.