Një zjarr që ka përfshirë një zonë në afërsi të Volljakut, në komunën e Klinës, po vazhdon prej dy ditësh.

Përmes një postimi të bërë nga banorët e fshatit, është kërkuar ndërhyrje urgjente nga organet kompetente, përfshirë zjarrfikësit, Komunën e Klinës dhe institucionet tjera përgjegjëse.

Sipas postimit, zjarri ka përfshirë zonën nga Qestati deri te Fusha e Mullinit, duke paraqitur rrezik për natyrën, pronat dhe banorët e zonës.

Banorët kanë bërë apel që ekipet profesionale të ndërhyjnë sa më shpejt dhe me kapacitetet e nevojshme për lokalizimin dhe shuarjen e zjarrit, para se situata të përkeqësohet.

Po ashtu, qytetarëve që ndodhen në zonë u është bërë thirrje të tregojnë kujdes dhe të mos rrezikojnë jetën duke tentuar të ndërhyjnë pa pajisje dhe pa koordinim me ekipet profesionale.