Gazeta Sinjali raportoi pak më parë për një zjarr të madh që ka përfshirë një deponi me goma të vjetra, duke shkaktuar tym të zi dhe të dendur në zonën përreth.
Lidhur me rastin, për Sinjalin ka folur komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve për zonën e Prishtinës, Abdusamed Shkodra, i cili ka bërë të ditur se ekipet e zjarrfikësve janë nisur drejt vendit të ngjarjes.
“Ne e kemi marrë informacionin rreth orës 14:20 për një zjarr që ishte duke u zhvilluar në zonën mes Sllatinës dhe Vrellës, afër pistës së garave të veturave, ku nga flakët janë përfshirë gomat e vendosura për mbrojtje.
Ekipet e para që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes kanë qenë ato nga Lipjani, pasi ajo zonë është nën përgjegjësinë e tyre, ndërsa ekipet nga Prishtina kanë shkuar për t’u ardhur në ndihmë.
Zjarri tashmë është vënë nën kontroll, por një ekip vazhdon të qëndrojë në vendin e ngjarjes për të vlerësuar nëse ekziston endE ndonjë rrezik”, ka thënë Shkodra për Sinjalin.