Një aksion i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në veri të Mitrovicës ka përfunduar me arrestimin e një 50-vjeçari dhe sekuestrimin e dhjetëra paketimeve me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, mëson Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Ivan Cvetkovic, rreth 50-vjeçar.

Aksioni është zhvilluar më 14 gusht, rreth orës 21:05, në rrugën “Lola Ribar”, pasi hetuesit e Antidrogës kishin siguruar informacione nga terreni lidhur me dyshimet për posedim të narkotikëve.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Cvetkovic është ndaluar nga hetuesit, ndërsa gjatë kontrollit trupor atij i janë gjetur 19 paketime me substancë të dyshuar kokainë, me peshë rreth shtatë gramë.

Por aksioni nuk ka përfunduar aty.

Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Policia ka vazhduar me kontrollin e banesës së të dyshuarit në rrugën “Kollashini”.

Gjatë bastisjes janë gjetur edhe 45 paketime të tjera me substancë të dyshuar kokainë, me peshë rreth 19 gramë.

Në total, në trupin dhe banesën e të dyshuarit janë sekuestruar 64 paketime me rreth 26 gramë substancë të dyshuar kokainë.

Si prova materiale janë sekuestruar gjithashtu 340 euro para të gatshme, dy fishekë të armës së gjatë dhe një telefon Samsung.

Pas përfundimit të veprimeve policore dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, Cvetkovic është dërguar në ndalim policor për 48 orë.

Rasti po hetohet nga Antidroga në Mitrovicën e Veriut nën dyshimet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.