Një zhvillim i ri është shënuar në rastin e shpërthimit me granatë që kishte ndodhur më 21 prill në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë, pranë lokalit “Gentor”.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se hetuesit kanë arritur ta lokalizojnë dhe arrestojnë edhe të dyshuarin e dytë në këtë rast, i cili dyshohet se kishte vepruar në bashkëkryerje me personin tjetër tashmë të identifikuar nga Policia.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, më 21 prill, rreth orës 04:20, ishte raportuar një shpërthim pranë lokalit “Gentor”, ndërsa një dëshmitar kishte deklaruar se kishte parë një Golf 7 të zi, pa targa, nga i cili dyshohej se ishte hedhur një granatë dore.

Pas veprimeve hetimore, Policia kishte identifikuar si të dyshuar Bubekir Gashi dhe Veton Gashi, për të cilët dyshohet se kanë vepruar së bashku.

I dyshuari i parë ishte lokalizuar dhe ndaluar më herët, ndërsa gjatë bastisjes së adresës së tij nuk ishin gjetur prova që lidhen drejtpërdrejt me rastin.

Ndërkohë, më 28 shtator, rreth orës 15:00, hetuesit kanë arritur ta lokalizojnë edhe të dyshuarin e dytë në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë.

Sipas burimeve të Sinjalit, ai ka tentuar të arratiset në momentin e arrestimit, por është ndaluar dhe më pas është shoqëruar për intervistim.

Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Rasti po hetohet për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të shpërthimit dhe rolit të secilit të dyshuar po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.