Rasti i të shtënave me armë në Mazgit të Obiliqit ka marrë një kthesë të re, pasi një person që fillimisht ishte intervistuar si ankues tashmë po hetohet si i dyshuar për përdorim dhe posedim të paautorizuar të armës.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se incidenti kishte ndodhur më 23 shtator, rreth orës 18:30, në rrugën “Afrim Zhitia”, ku ishte raportuar se një person kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të një tjetri.
Në vendin e ngjarjes ishin gjetur tri gëzhoja të kalibrit 7.62×39 mm, ndërsa i dyshuari kryesor, Megzon Sefedini, nuk ishte hasur gjatë bastisjes dhe vazhdonte të kërkohej nga Policia.
Mirëpo, gjatë veprimeve të mëtejshme hetimore, rasti ka marrë një tjetër drejtim.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, hetuesit kanë arritur në dyshimin se Veton Berisha, i cili fillimisht ishte intervistuar si ankues, po ashtu kishte pasur armë dhe e kishte përdorur atë gjatë incidentit.
Për këtë arsye, ai është ftuar për intervistim në cilësinë e të dyshuarit për “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia kishte kontrolluar edhe adresën e tij të banimit, por ai nuk ishte gjetur aty.
Më 28 shtator, Veton Berisha është paraqitur vetë në Njësinë e Hetimeve Rajonale në Prishtinë, ku ka dorëzuar një pistoletë që dyshohet se është përdorur në rast.
Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, hetimet për rastin, i cili po trajtohet edhe për “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Kanosje” dhe vepra që lidhen me armët, po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.