Policia ka arritur ta identifikojë dhe arrestojë personin e dyshuar për grabitjen që ndodhi ditë më parë në fshatin Shkabaj të Prishtinës, pas një serie veprimesh hetimore, mëson Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Egzon Halili, rreth 27-vjeçar, i cili tashmë është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Rasti kishte ndodhur më 11 gusht, mes orës 12:00 dhe 12:20, ndërsa viktimë ishte N.K., rreth 53-vjeçar.

Siç kishte raportuar Sinjali, 53-vjeçari kishte deklaruar se derisa po shkonte drejt stacionit të autobusëve, ishte ndaluar nga drejtuesi i një Pickup-i të bardhë, i cili i kishte kërkuar të hipte në automjet.

Sipas deklarimit të viktimës, pasi kishin vazhduar rrugën, në afërsi të Shkabajt i dyshuari kishte marrë disa mjete pune dhe e kishte goditur në gjoks, ndërsa më pas dyshohet se ia kishte grabitur 180 euro para të gatshme dhe një telefon në vlerë rreth 190 euro, për t’u larguar më pas.

Viktima kishte marrë trajtim mjekësor, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda rasti ishte iniciuar si “Grabitje”.

Hetimet për identifikimin e të dyshuarit kanë vazhduar, ndërsa tashmë, sipas informacioneve të Sinjalit, hetuesit kanë arritur të identifikojnë dhe sigurojnë prezencën e Egzon Halilit.

Ai është intervistuar lidhur me dyshimet ndaj tij dhe, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.