Sinjali mëson ekskluzivisht se Vezir Haziraj, i dyshuari që ndodhej në arrati pas të shtënave me armë zjarri në Orrobërdë të Banjës së Pejës, ku mbeti i plagosur një person, është dorëzuar sot në Policinë e Pejës.
Haziraj po kërkohej nga organet e rendit që nga 7 gushti, kur kishte ndodhur incidenti, ndërsa gjatë kohës sa ndodhej në arrati ishte shfaqur edhe në rrjete sociale, duke publikuar pamje ku shihej i armatosur.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se arratisë së tij tashmë i është dhënë fund, pasi Haziraj është paraqitur dhe është dorëzuar në polici.
Dorëzimin e Hazirajt e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Driton Rugova.
Sinjali kishte raportuar më herët ekskluzivisht për identitetin e tij si person i dyshuar në këtë rast, si dhe për paraqitjen e tij të armatosur në rrjete sociale gjatë kohës sa kërkohej nga Policia.
Haziraj dyshohet për përfshirje në rastin e të shtënave me armë zjarri në Orrobërdë, i cili nga organet kompetente ishte iniciuar si “Vrasje në tentativë”.
Sinjali do t’ju mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.
Shënim: Personi i apostrofuar konsiderohet i pafajshëm, përveç nëse fajësia e tij vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.