Dukagjin Maxhuni nga Gjakova, i cili është arrestuar nga autoritetet serbe dhe ndaj të cilit është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, nuk është në listën e personave që gëzojnë statusin e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur për REL, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Arrestimin e Maxhunit e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiç, i cili ka thënë se ai “dyshohet për krime lufte”.
“Ekzistojnë dyshime të bazuara se ai e ka kryer veprën penale kundër popullsisë civile, në dëm të anëtarëve të dy familjeve, gjatë qershorit të vitit 1999, në fshatin Bec, në komunën e Gjakovës”, ka thënë Daçiç përmes një njoftimi.
Sipas Daçiçit, ndaj të dyshuarit fillimisht ishte caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa kallëzimi penal ishte dërguar në Prokurorinë serbe për Krime Lufte.
“Bazuar në vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd – Departamenti për Krime Lufte, atij i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh”.
Ndërkohë, në Kosovë, gjatë viteve të fundit janë arrestuar dhjetëra serb nën dyshime për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë, ndërsa disa prej këtyre rasteve kanë përfunduar me aktgjykime dënuese.
Arrestimi i Maxhunit është i dyti gjatë muajit gusht që Serbia e bën në lidhje me pretendimet për krime lufte në Kosovë. Më 2 gusht, një person tjetër ishte arrestuar në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë.