Një aheng familjar në Stanovc të Epërm të Vushtrrisë është shoqëruar me të shtëna me armë, ndërsa intervenimi i Policisë ka përfunduar me sekuestrimin e armës dhe ndalimin e një 22-vjeçari, mëson Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Endrit Caka, rreth 22-vjeçar.

Rasti ka ndodhur më 14 gusht, rreth orës 21:25, kur Policia ka pranuar informatën se gjatë një ahengu familjar në këtë fshat po kishte të shtëna me armë.

Njësitet patrulluese, së bashku me hetuesit policorë, kanë lokalizuar vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me pronarin e shtëpisë.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, autoriteteve u është dorëzuar një armë e shkurtër me gaz, si dhe gjashtë gëzhoja që dyshohet se i përkasin të njëjtës armë.

Arma është sekuestruar, ndërsa Caka është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar nga hetuesit.

Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorin kujdestar, ndaj 22-vjeçarit është marrë vendim që të dërgohet në mbajtje.

Rasti është iniciuar për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.