Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se do të vazhdojë monitorimin e afërt të rastit të shtetasit të Kosovës, Dukagjin Maxhuni, ndaj të cilit autoritetet e Serbisë kanë iniciuar procedurë penale dhe i kanë caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

MPJD-ja ka bërë të ditur se përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi ka njoftuar Delegacionin e Bashkimit Evropian në Beograd lidhur me rastin.

Po ashtu, ministria ka dërguar notë verbale te misionet diplomatike të vendeve të Quint-it, me qëllim të sigurimit të angazhimit ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së Maxhunit.

Sipas njoftimit, ambasadori i Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e të arrestuarit.

MPJD-ja ka bërë të ditur se përmes Zyrës Ndërlidhëse do të procedojë edhe kërkesën zyrtare për lejimin e vizitës ndaj Maxhunit, e cila pritet të realizohet gjatë javës së ardhshme.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi, do të vazhdojë monitorimin e afërt të këtij rasti dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme diplomatike për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Autoritetet serbe i kanë caktuar Dukagjin Maxhunit masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ndërsa institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar vazhdimin e veprimeve diplomatike lidhur me rastin.