Pas incidentit të ndodhur më 8 gusht në Shtime, ku një person dyshohet se drejtoi laser në drejtim të një aeroplani në fluturim, Policia ka ndërmarrë një fushatë vetëdijësuese për rrezikun që paraqet një veprim i tillë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Jugut po zhvillon aktivitete në të gjithë rajonin e Mitrovicës, ku zyrtarët policorë po shpërndajnë fletushka informuese dhe po i njoftojnë qytetarët për pasojat që mund të shkaktojë drejtimi i laserëve ndaj mjeteve ajrore.
Ngjarja në Shtime kishte ndodhur rreth orës 23:30, në zonën e rrugës “Komandant Kumanova”, afër “Liqenit të Mjellmave”. Policia ishte njoftuar se nga kjo zonë ishte drejtuar laser në drejtim të një aeroplani që ndodhej në fluturim, i identifikuar me shenjën GP-603.
Rasti ishte raportuar nga vetë piloti, i cili kishte dhënë edhe koordinatat e vendit nga dyshohej se ishte drejtuar laseri. Pas njoftimit, një patrullë policore kishte dalë në lokacion dhe kishte kontrolluar zonën.
Policia po paralajmëron qytetarët se një veprim i tillë mund të ketë pasoja të rënda për sigurinë e fluturimit. Rrezet e laserit mund ta verbojnë përkohësisht apo edhe përgjithmonë pilotin, duke rrezikuar jetën e pasagjerëve, ekuipazhit dhe personave në tokë.
Sipas Policisë, drejtimi i laserëve ndaj aeroplanëve, helikopterëve apo mjeteve të tjera ajrore është i ndaluar dhe përbën vepër penale.
Në bazë të nenit 159 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Rrezikimi i sigurisë së aviacionit civil”, personat që kryejnë veprime të tilla mund të dënohen me burgim deri në pesë vjet.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos drejtojnë laserë drejt mjeteve ajrore, të mos i përdorin ato në afërsi të aeroporteve dhe hapësirave ajrore, si dhe të raportojnë menjëherë çdo rast kur vërejnë persona që përdorin laserë në drejtim të aeroplanëve apo mjeteve të tjera fluturuese.