Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja lidhur me arrestimin e Vezir Hazirajt, i dyshuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”, për të cilin Sinjali raportoi më herët se ishte dorëzuar sot në Policinë e Pejës.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, rasti për të cilin dyshohet Haziraj kishte ndodhur më 7 gusht 2026, rreth orës 20:50, në fshatin Orrobërdë të Istogut, ku kishte pasur të shtëna me armë zjarri dhe një person kishte mbetur i plagosur.
Njësitë policore kishin dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kishin hasur viktimën e plagosur nga arma e zjarrit. Ai fillimisht ishte dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa më pas ishte transferuar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtejshëm.
I dyshuari, Vezir Haziraj, ishte larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur dhe që nga ajo ditë ndodhej në arrati.
Policia bën të ditur se hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime në Pejë kishin punuar intensivisht për kapjen e tij, ndërsa ndaj Hazirajt ishte lëshuar edhe urdhërarrest dhe ishte kërkuar bashkëpunimi i qytetarëve për lokalizimin e tij.
Sot, më 15 gusht, Policia ka zbatuar një plan operativ për kapjen e Hazirajt, ku janë përfshirë edhe njësi nga niveli qendror.
Sipas Policisë, në operacion kanë marrë pjesë NJSI/FIT, Njësia e Vëzhgimit dhe njësi të tjera, ndërsa është bashkëpunuar edhe me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë – AKI.
Njësitë e angazhuara kishin rrethuar për një kohë të gjatë shtëpinë ku dyshohej se ndodhej Haziraj.
“I dyshuari Vezir Haziraj, duke e parë se nuk kishte mundësi largimi, është dorëzuar dhe gjithçka ka shkuar pa ndonjë incident”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Kështu, pas më shumë se një jave në arrati, Haziraj tashmë është në duart e organeve të rendit.
Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për identitetin e Hazirajt si të dyshuar për plagosjen në Orrobërdë, si dhe për paraqitjet e tij në rrjete sociale gjatë kohës sa kërkohej nga Policia, ku ishte shfaqur edhe i armatosur.
Rasti ndaj tij po trajtohet si “Vrasje në tentativë”.