Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka pritur në takim senatoren amerikane Joni Ernst, anëtare e Komitetit të Senatit për Shërbimet e Armatosura (SASC).

Gjatë takimit, Ulutash e ka informuar senatoren Ernst për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe rajon, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.

Në fokus të diskutimit ishte edhe roli i KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, në kuadër të misionit të udhëhequr nga NATO-ja.

Me këtë rast, komandanti i KFOR-it shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në misionin e KFOR-it.